Detaje nga ngjarja fatale në fshatin Kusarth, ku 58-vjeçari Tefik Tashi vrau me sëpatë motrën e gruas së tij, Alma Qejvani. Si pasojë e plagëve të marra, 44-vjeçarja humbi jetën në spital.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 58-vjeçari rreth orës 13:00, në fshatin Kusarth, në rrugë, ka goditur me sëpatë motrën e bashkëshortes së tij.

Disa nga banoret e zonës janë prononcuar për mediat dhe kanë treguar detaje nga ngjarja makabre.

Të pyetur nga gazetarët, se si ka ndodhur krimi, ato tregojnë që nuk e kanë parë ngjarjen dhe se nuk dinë ndonjë arsye që mund të ketë çuar në rrethana të tilla.

Një nga banoret, tregon që i ka dhënë ujë, njërës prej motrave. Ajo rrëfen që njëra ka qenë e mbuluar në gjak, ndërsa tjetra e shtrirë.

Si ndodhi krimi?

Nuk e pashë krimin unë, dëgjova zhurmë, ajo gruaja kërkoi ujë, kërkoi ndihmë. Dola ia lashë ujin te porta, erdhi e mori vetë ajo.

Nuk shkova atje afër. Kishte gjak nga surrati. Njëra ishte shtrirë. Njëra kishte gjak nga surrati, tjetra ishte shtrirë.

Këto janë vajza të mira, shikonin punën e tyre. Thjesht i çova ujë, nuk di gjë më shumë.

Ishte gjakosur nga fytyra dhe i thashë eja merre vetë kovën, erdhi dhe e ia hodhi nga trupi.

Mesa duket, të dyja motrat nuk kanë pasur kontakte të shumta me banorët e zonës aty, pasi të pyetur nga gazetarët, ato tregojnë që të dyja motrat nuk dilnin shpesh dhe nuk është se kishin komunikim me personat në zonë. Për më tepër, një nga zonjat e moshuara në fshat thotë që e ka thërritur komshia duke i thënë “ e theri e theri”.

Unë isha këtu, Alma nuk bërtiti fare. E njihja si gocë lagjes, jo më shumë, se ata nuk dilnin.

Po më thoshte komshia “e theri, e theri”.

Na tronditi, sa e mora vesh, gjynah gocë e re.

Kuanti ka qenë?! Ai e kishte bërë atë?! Ai qenka katil, ça qenka kjo kështu

Për Alma Qejvanin, zonjat e pyetura prej gazetarëve, thonë fjalë të mira, megjithatë nuk është se kanë shumë informacion, duke qenë se familja e tyre ishte e izoluar në jetën sociale.

Almën e njihja si vajzë shumë të mirë, nuk dilnin shpesh. Nuk përziheshin. Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë zhurma, as sherre.

Unë tani kam ardhur, kurse të tjerët kanë qenë brenda në shtëpi.