Presidenti Bajram Begaj këtë të enjte në konferencën e përbashkët me homologun e tij polak u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me porositë që ai ka për zgjedhjet e 14 majit.

Begaj është shprehur se është e rëndësishme që institucionet e administrimit të zgjedhjeve të ndjekin nga afër me kujdes të gjithë parregullsitë e këtij procesi.

Kreu i shtetit është shprehur se zgjedhjet janë një sfidë për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Ndër të tjera ai theksoi se zgjedhjet janë të qytetarëve dhe për këtë ka kërkuar që partitë politike dhe kandidatë që të mos e shpërfillin këtë fakt siç bënë me kërkesën e presidentit për të mos përdorur gjuhe denigruese ndaj kundërshtarëve në fushatë.

“Zgjedhjet janë një mundësi që qytetarët shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Standardi i zgjedhjeve ndikon në standardin evropian. 14 maji është një sfidë për ne, për institucionet politike, për partitë politike  për të gjithë shoqërinë,. Zgjedhjet nuk janë të partive por të qytetarëve, të gjithë kandidatët dhe partitë politike duhet që të mos i shpërfillin qytetarët, siç ndodhi me shpërfilljen që i bënë presidentit që kërkoi që retorika të ishte e përmbajtur dhe jo denigruese, të ishte e përmbajtur të kishte përplasje idesh dhe premtimesh jo retorikë e panevojshme.

 Për mua sot tre ditë para zgjedhjeve është e rëndësishme që unë të bëj një thirrje për pjesëmarrjen në zgjedhje një e drejtë kushtetuese, një detyrim moral për veten tonë dhe për kombin. Çdo qytetar duhet që ta shtrojë këtë të drejtë, administrata zgjedhore ka rëndësi në këtë proces, që të kenë angazhimin e plotë për zgjedhje të lira transparente dhe të lira. Ky nuk është kusht i vendosur nga BE por është një detyrim që ka të bëjë me një standard zgjedhor dhe jo një standard pak më i mirë se zgjedhjet e tjera. Nëse retorika e panevojshme vijon edhe pas zgjedhjeve në lidhje me procesin e zgjedhjeve atëherë duhet që institucionet të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë Begaj./abcnews.al