Një stërvitje e trupave amerikane është zhvilluar në detin Adriatik. Ambasada amerikane në Tiranë ka postuar fotot e kësaj stërvitje.

“Në frymën e bashkëpunimit të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, dhe si aleate të NATO-s, shkatërruesit e raketave të komanduara të klasit Arleigh Burke, USS Gravely dhe USS Bainbridge, së bashku me anijet e rojes bregdetare shqiptare Lissus (P 133) dhe Oriku (P 132), kryen javën e kaluar operacione manovrimi në detin Adriatik”, shkruan ambasada në rrjetet sociale.

Më tej theksohet se USS Gravely dhe Bainbridge janë së bashku me grupin Harry S. Truman Carrier Strike në një dislokim të planifikuar në zonën e operacioneve të Flotës së Gjashtë të SHBA-së, në mbështetje të operacioneve detare për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë detare, si dhe për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve në Europë dhe Afrikë.