Grupi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj do të ankimojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit për shkak të mungesës së dokumentacionit.

KQZ nuk e pranoi autorizimin që i jepte të drejtë Enkelejd Alibeajt të regjistrohet në zgjedhjet vendore në emër të Lulzim Bashës dhe kërkoi një dokument me firmë nga ish-kryedemokrati, i cili “në letra” rezulton të jetë ende kryetar i PD-së.Basha figuron si kryetar për shkak sepse pas dorëheqjes, kjo forcë politike nuk zgjodhi një kryetar të ri, regjistrimin e të cilit do të duhej më pas ta bënte në gjykatë. Alibeaj është aktualisht kryetar i komanduar.

Menjëherë pas vendimit të KQZ-së, deputeti demokrat Gazment Bardhi deklaroi se PD i ka dorëzuar të gjitha dokumentet dhe nuk ka më se çfarë të dorëzojë. Ndërsa përfaqësuesit ligjorë të Alibeajt, do të ankimojnë tashmë vendimin e KQZ-së në KAS. Sipas Bardhit, kërkesa e Ilirjan Celibashit ishte më tepër politike.

Ndërsa PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha, nuk është pranuar në KQZ. Për shkak se ata nuk mund të hyjnë në koalicion me Partinë e Lirisë, pasi kjo e fundit ka paraqitur lista për këshilltarë kryebashkiakë, me gjasë do të kërkojnë koalicion, siç u përfol dje, me parti si PAA dhe PBDNJ.Berisha hodhi poshtë çdo mundësi për negociata me Alibeajn, në mënyrë që PD të dalë me kandidatë unikë në zgjedhje.