Australia s’po gjen qetësi, pasi në kohën që vendi po lufton “murtajën biblike të minjve”, zonat rurale janë mbuluar nga rrjeta të mëdha merimangash.

“Batanije” të trasha me rrjeta merimangash janë fotografuar të shtrira në të gjithë rajonin Gippsland, pavarësisht se rajoni i Victorias prej disa ditësh ishte përfshirë nga përmbytjet. Rrjetat kanë mbuluar fusha të tëra, shkurre si dhe disa rrugë.

Sipas ekspertëve kjo ka ardhur për shkak të përmbytjeve të vazhdeshme pasi merimangat po kërkojnë të sigurojnë strehim sa më lart për t’iu shmangur lagështisë. Fotografitë u shpërndanë në rrjetet sociale bashkë me mbishkrimin: “Nëse përmbytjet nuk do të ishin të mjaftueshme, unë ju prezantoj me apokalipsin e merimangave”.

Kujtojmë se Shteti juglindor është goditur prej disa ditësh nga shira të dendura dhe erëra të forta që kanë detyruar mijëra banorë të evakuohen.