Në një intervistë për RTV Ora, gazetari i ekonomisë, Fatos Çoçoli u shpreh se nëse PS do të kishte një program duhej pyetur se çfarë do të bëhet me rritjen ekonomike dhe borxhin publik.

Ai tha se qeveria nuk pohoi se nga do t’i marrë paratë për rritje rrogash dhe se nuk është përmendur rritja e pensioneve, por kemi pasur deri më tani vetëm indeksim të tyren dhe jo rritje.

Çoçoli: Qeveria e quajti një plan veprimi prandaj nuk mund të merret si një program i mirëfilltë. Nëse do të kishte një program duhej pyetur se çfarë do të bëhet me rritjen ekonomike dhe borxhin publik. Ka folur për pagë minimale, e kanë premtuar se do ta rrisin në 400 mijë lekë të vjetra, por nuk thotë se kur do ta bëjnë këtë gjë, ndryshe nga opozita që ka thënë se do ta bëjë në janar 2022. Edhe rritja e pagave me 40% e mjekëve dhe mësuesve nuk thuhet se kur do të behët.

Po ashtu nuk është përmendur rritja e pensioneve, por kemi pasur deri më tani vetëm indeksim të tyren dhe jo rritje. Premtimi 5000 euro për diasporën që do të investojnë në vendin tonë, por e shoh të vështirë sepse vlerësohet që për të hapur një gjë të tillë, duhen së paku 13 mijë euro dhe për të punësuar disa persona duhet së paku 40 mijë euro. Kjo nuk është ndonjë ndihmë dhe mendoj se dyfishi mund të ishte diçka, një stimul më i mirë. Vetë kanë qenë në pushtet për 8 vite, kanë pasur edhe një ministri të Diasporës, por nuk kemi pasur një mbështetje për Diasporës.

Çoçoli shtoi seështë premtuar edhe rritje 30% për gjithë administratën rreth 120 mijë persona, por sipas tij për një rritje të tillë për kaq shumë persona duhen gjetur diku paratë.

Çoçoli: Nuk thuhet se nga do të tërhiqen fondet për këto rritje të pagave. Është premtuar edhe rritje 30% për gjithë administratën rreth 120 mijë persona dhe ta rrisësh pagën në këtë nivel nuk është pak. Se ku do të merren këto para nuk thuhet. Sërish është folur për sa i përket se si taksa progresive do të veprojë pas janarit 2022. Deri në 400 mijë lekë do të jetë pa taksa, ndërsa deri në 2 milionë do të jetë 13% dhe mbi 2 milionë 23%. Kjo për shtresën e mesme përkthehet në një barrë më pak për t’i dhënë shtetit, por janë para këto që do të ketë humbje në të ardhurat e buxhetit.

Ora news