Humbja e thellë në zgjedhje e djeshme në 6 bashki ka bërë që deputetët që mbështesin kreun e PD Lulzim Basha ti kërkojnë atij zgjedhje të reja brenda partisë.

Lulzim Basha: 6 marsi ishte kurth pas 8 janarit dhe ne u vendosem para detyrimit për të marrë pjesë në zgjedhje. S’kam humbur asnjë garë. Parregullsitë që kanë shoqëruar proceset janë të dokumentuara.

Dashnor Sula: Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund të na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi t’i dhe ne. Nuk na beson me asnjë kështu.

Ilda Dhori: Kryetar duhet të hapen zgjedhjet në parti.

Helidon Bushati: Kryetar është koha për lëvizje në parti, kur them lëvizje nënkuptoj ndryshime të rëndësishme përtej egos tonë. Duhet nje kongres pajtimi mes demokrateve. Ajo që prodhoi 6 marsi tregoi se ju dhe Berisha dështuat të bashkoni partinë.

Lefter Geshtenja: Duhet te bëni një hap pas ju i pari pastaj me radhë të gjithë, në mënyre që të bashkohen demokratet në bazë. Nuk mund te vazhdohet më kështu, duhet reflektim i thelle nga te gjithë, nga ju i pari, duhet te sakrifikojmë te gjithë që të shpëtojmë PD. Nëse na dhimbset vërtetë PD duhet ta bëjmë sot se nesër do jetë vonë. Ju duhet të bëni një hap pas që të bashkohen demokratet. Sot demokratet janë të ndare. Drejtuesit e partisë nuk dalin ne terren janë larguar nga strukturat e PD shkojmë vetëm për fushata, nuk mund te vazhdohet kështu.

Emilja Koliqi: Kryetar bëj një deklarate dorëheqje. Saliu është i ikur, largohu që të bashkojmë partine pa Berishën. I bëni një nder të madh në këtë moment forcës tonë politike me këtë akt.

Merita Bakiu: Kryetar unë dua te flas pak por dua t’ju kërkoj diçka që të është thënë më shumë se një herë në mbledhje. Zoti Basha sakrifiko, duhen zgjidhje sa më parë.

Selaudin Jakupllari: Zoti Basha duhet të punojmë për bashkim. Duhet të reflektosh. Berisha e ka mbyllur me PD por duhet të bashkojmë bazën!

Eralda Taso Bane: Duhet të bashkohemi sepse strukturat treguan që janë jofunksionale. Ne ju kemi mbështetur ne gjithçka kryetar, por është momenti që duhet të sakrifikosh.

Ramadan Lika: Zoti Basha unë s’te kam kërkuar kurrë gjë dhe të kam kthyer Koplikun si fitues. Jam gati të dorëzoj mandatin. Duhet zgjidhje, thua që s’kemi humb, si nuk kemi humb ne jemi shkatërru. S’duhet të dalim pa vendim që këtu.

Kasem Mahmutaj: Duhet një garë e hapur, të gjejmë kush e bashkon nëpërmjet zgjedhjeve! Ne mund të flasim gjithë natën por këtij debati zgjidhje i jep vota!

Rezultati në zgjedhjet e 6 marsit

Zgjedhjet e 6 marsit konfirmuan si shumicë absolute Partinë Socialiste në 5 bashki ku u mbajtën zgjedhje të pjesshme, por pavarësisht ambicies Shkodra vijon të jetë një kala e vështirë për tu marrë nga socialistët. Bardh Spahia vijon të mbaj një trend me mbi 2 mijë vota diferencë me kandidaten socialiste Majlinda Angoni, teksa Xhemal Bushati i PD nuk mundi në asnjë moment të garës të ishte rivalizues me votat e marra. Emiriana Sako s’do të jetë më një kryebashkiake e komanduar në Durrës. Në 6 mars, qytetarët e Durrësit, ndonëse në pjesëmarrje shumë të ulët i dhanë Sakos të drejtën për të drejtuar bashkinë deri në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. I dyti u rendit urbanisti Ardjan Muka i propozuar nga Berisha dhe koalicioni shtëpia e Lirisë, ndërkohë që Luan Hoti i PD nuk mundi të arrij as në shifrën e 10 mijë votave.

Dibra do të vijoi të qeveriset nga sociliastët. Lushnja do të qeveriset në pushtetin vendor për herë të parë nga një grua. Eriselda Sefa do të drejtojë deri në zgjedhjet e ardhshme bashkinë pasi u shpall fituese me 58% të votave. Edhe në këtë bashki i dyti rezultoi kandidati i propozuar nga koalicioni mes Berishës dhe Kryemadhit, Elton Bano. Sekretari i PD, Indrit Sefa mori një numër minimal votash, duke gëzuar mbështetjen e vetëm 10% të qytetarëve. Rrogozhina do të ketë një kryebashkiak socialist. Vora prodhoi rezultatin më të dobët të Partisë Demokratike në këto zgjedhje.

be.k/abcnews.al