Dhjetëra persona kanë përfunduar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Kukësit me simptoma të njëjta helmimi. Shtimi i rasteve me temperaturë dhe simptoma të tjera ka nisur nga mesdita e së shtunës dhe gjatë së dielës.

FLUKSI

Mjeku roje i Urgjencës së Spitalit në Verilindje të vendit tonë, Albert Shehu, ka deklaruar se nga mëngjesi i së dielës deri në orët e mesditës, të paktën 50 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa shumica e tyre kanë pasur të vjella dhe diarre. Ndërsa nuk përjashton që shkak i kërkesave të shumta për ndihmë mjekësore në spital mund të jenë bërë virozat e stinës, mjeku Shehu thekson se nuk përjashtohet mundësia që pacientët të kenë pësuar helmime nga uji i pijshëm.

Ky fenomen mund të lidhet me një gjendje virale ose intoksikacion që mund të jetë nga uji, mund të jetë nga perimet, mund të jetë nga frutat. Ka një fluks të shtuar. Vetëm sot nga ora 08:00 e deri më tani mund të ketë mbi 50 vizita, nga të cilat 40 janë me bark dhe të vjella, janë shoqëruar edhe me temperaturë. E kemi përballuar situatën deri më tani dhe do ta mbajmë situatën nën kontroll”, tha Shehu.

SHKAKU

Pavarësisht shtrimeve, kërkesave të shumta për ndihmë mjekësore në Spitalin e Kukësit, mbetet mister shkaku i asaj që mund të konsiderohet si helmim masiv. Mjeku i Urgjencës thotë se të prekur janë edhe fëmijët, pasi ka raste të shtuara në Pediatrinë e Spitalit. “Nga të gjitha grup-moshat. Ka edhe te pediatria që ka një numër shumë të shtuar, por edhe te të rriturit ka shtime. Është njoftuar Drejtoria e Higjienës. Është ngritur si problem. Nuk dihet nga se është shkaktuar, por do të ndiqet për ta përcaktuar shkakun”, tha ai. Ndërsa për rastin janë njoftuar institucionet përkatëse, njësia vendore e kujdesit shëndetësor ka marrë 5 mostra uji në fshatin Shtiqën. Ende nuk dihet se cili është shkaku që ka shkaktuar probleme shëndetësore te qindra banorë të Kukësit.

Precedenti

Qindra persona përfunduan në Spitalin e Krujës në fund të muajit tetor të vitit të shkuar me simptoma të njëjta helmimi, përfshirë temperaturë, diarre dhe të vjella. Banorët thanë se ishin helmuar nga uji i pijshëm që kishin konsumuar për gatim. Rreth 500 persona kërkuan ndihmë mjekësore në spital, përfshirë edhe rreth 150 fëmijë. “Nga analizat e marra nga ISHP, ka rezultuar që në një pikë të vetme të ujësjellësit ka rezultuar bakteri Enterokokus, shkak i këtyre shqetësimeve, situata që sot flasim është shumë e qetë, ka mbaruar pothuajse shqetësim, do ta ndjekim me rigorozitet, epidemi e shkaktuar nga uji”, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik pas analizimit të mostrave të ujit.