Fenomeni i shpopullimit ka prekur thuajse të gjithë fshatrat në Shqipëri. I tillë është dhe fshati Mirakë në Librazhd, ku banorët vetë thonë se dikur jetonin 3 mijë njerëz në këtë zonë ndërsa sot ky numër është reduktuar në maksimum. Në këtë fshat nuk jetojnë më shumë se 600 banorë, kryesisht të moshës mbi 60 vjeç, ndërkohë të rinjtë dhe të moshës së mesme jetojnë jashtë vendit.

Në Mirakë shihen ndërtesa të reja, të ngritura me paratë e emigracionit por fatkeqësisht janë të kyçura pasi nuk ka njerëz brenda tyre. Banorët shprehen për Fax News se të rinjtë kanë ikur sepse këtu nuk ka punë.

“Jemi këtu natë ditë, u kemi dhënë shkollë fëmijëve e ku? Ne merremi me ullinjtë këtu, punësimi është skandal”-tha një nga banorët. “Të gjithë kanë ik, në Greqi, Gjermani, Suedi të gjitha. Vitet e fundit janë larguar më shumë. Ka ngelur vetëm mosha e tretë këtu, u futën nga një çelës dhe bosh shtëpitë. Kështu ka shkuar puna”-u shpreh një tjetër. Pronari i një dyqani të vogël tha se nuk i shiten produktet në dyqan dhe është i detyruar të largohet dhe ai sepse nuk ja del dot me shpenzimet dhe pagesat e energjisë elektrike.

fax web