Është rrëzuar kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Iliba Bezati, e bërë nga nmbrojtësi i të pandehurit Jetmir Olldashi, avokati Indrit Sefa.
Ndërkohë mësohet se trupa gjykyese që do të shqyrtojë kërkesën e Olldashit dhe deputetit Ervin Salianji të dënuar për çështjen “Babale” do të përbëhet përfundimisht nga Iliba Bezati, Elona Toro, dhe Genti Shala,
Njoftimi i plotë:
Në vijim të informacioneve, mbi çështjen penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë“ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal, me viktimë/kallëzues të veprës penale, shtetasin Geron (Agron) Xhafaj, ju informojmë si më poshtë:
Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, sot më datë 13.04.2023, ora 13:05, u shqyrtua në Dhomë Këshillimi, kërkesa me objekt: “Përjashtimin e anëtares së trupit gjykues, gjyqtare Iliba Bezati”, bërë nga mbrojtësi i të pandehurit Jetmir Olldashi, av. Indrit Sefa.
Në përfundim të shqyrtimit, në Dhomë Këshillimi, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Brikena Ukperaj, vendosi:
-Rrëzimin e kërkesës së të pandehurit Jetmir Olldashi për përjashtimin e gjyqtares Iliba Bezati.