Kristiano Ronaldo u prit me shumë përzemërsi sot në stadiumin “Old Trafford”, ku tifozët e Mançester Junajtid i treguan yllit portugeze se nuk i mbanin mëri për kërkesën e tij për t’u larguar nga “djajtë e kuq” gjatë verës. Por situata ka qenë krejt ndryshe pas përfundimit të ndeshjes, kur u mësua se kur ishte larguar portugezi nga stadiumi.

Në fillimin e sfidës, kur skuadrat hynë për nxemje në fushën e lojës, disa tifozë kënduan në kor emrin e Ronaldos dhe ai u përgjigj me duartrokitje ndaj tribunës. Një gjest i cili mori ovacione të shumta nga mbështetësit e skuadrës të cilët më pas duartrokitnin edhe tentativat e tij drejt portës në nxemje (VIDEO KETU).

Por pas ndeshjes miqësore ndaj Rajo Vajekanos që u mbyll me shifrat 1-1, në rrjetet sociale ka shpërthyer protesta kundër tij, pasi u publikuan foto të lojtarit duke u larguar nga “Old Trafford”. Një tifoz që i kishte postuar, pretendonte se fotot ishin bërë para përfundimit të ndeshjes, me portugezin që nuk kishte pritur të mësonte si do të përfundonte sfida.

Kundër tij u postuan shpejt qindra reagime të tifozëve që ishin zhgënjyer për këtë sjellje të lojtarit i cili luajti vetëm 45 minutat e para të ndeshjes.