Zona bujqësore e Jagodinës përpos problemeve të tjera rrezikon tharjen e të mbjellurave pasi bashkia nuk u ka lëshuar ujin vaditës. Sipas fermerëve të zonës së Jagodinës uji duhet të ishte lëshuar më herët që mos të thahen të mbjellurat. Janë rreth 70 HA të mbjellur me grurë i cili rrezikon të thahet nga mungesa e uijt vaditës.

Fermeri Arben Hysa shprehet se uji duhet të ishte lëshuar që në Mars dhe pse ai bashkë me fermerë të tjerë kanë shkuar tek bordi i kullimit, ku kanë marrë vetëm premtime se uji do të lëshohet por deri tani asnjë pik ujë s’ka ardhur duke rrezikuar 70 HA misër dhe prodhime të tjera që duan ujitje.

Bashkia nga ana e saj ka reaguar me një njoftim për median ku shprehet se:

“Llatja/ Nisim më herët pastrimin e kanaleve vaditëse, për t’i ofruar kushte fermerëve “


Sezoni i vaditjes ka nisur më herët këtë vit për shkak të rritjes së menjëhershme të temperaturave. Në këtë kuadër Agjencia e Shërbimeve Publike po kryen një punë për t’u lavdëruar duke vënë në funksion më shumë 6.5 km kanale vaditëse në Shirgjan që i vijnë në funksion 2000 fermerëve të gjithë zonës së fushës së Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja ka parë nga afër punen thuajse në përfundim të pastrimit të kanalit të Ferrasit me një gjatësi prej 7 km, duke deklaruar se ” këtë vit ky kanal ka pasur një sasi të madhe inertesh dhe bashkë me Inspektoriatin ne po punojmë për të gjetur edhe arsyen. Aktualisht janë hequr 3000 metra kub inerte nga kanali egzistues, e pazakontë kjo krahasuar me vitet e tjera.

Sidoqoftë ne jemi në gadishmëri, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike po punon për hapjen e të gjitha kanaleve vaditëse”. Kanali i Ferrasit furnizon të gjithë Njësinë Administrative Shirgjan, Gjergjan, si edhe një pjesë të Bashkisë së Cerrikut. Nisja më herët e pastrimit të kanaleve vaditëse në të gjithë territorin e Bashkise Elbasan, ka ardhur edhe si pasojë e kërkesave të vetë fermerëve.

Kreu i Bashkisë shton se ” i kemi përshpejtuar ritmet duke punuar pa orar me qëllim që ti ofrojmë fermerëve shërbimin në kohën e duhur për të arritur sa më shumë prodhim të stinës”.

Bashkia Elbasan në vend që ti kushtojë vëmendje bujqësisë zgjedh të rrijë në heshtje dhe mos ndihmojë fermerët dhe në situata kur ato kërkojnë një të drejtë legjitime si ajo e ujit vaditës.