Mbrëmjen e djeshme është mbajtur në Pallatin e Kongreseve nata e parë e edicionit të 60 të “Festivalit të Këngës”, ku mes artistëve që ka performuar ishte edhe Ronela Hajati. Artistja e njohur është prezantuar me “Sekret”, e cila përflitet prej kohësh si një nga pretendentet kryesore për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision”.Pak para performancës shpërthyese në skenë, ajo ka bërë një dedikim shumë emocionues për babain e saj.

“Babi tani që u riktheva në RTSH me vijnë ndërmend kohët kur më merrje me vete në punë. E vogël isha kur më sollët për herë të parë në Pallatin e Kongreseve. Unë fëmija më i zhurmshëm, por këtu bija qetësi. Mbaj mend që më ke thënë ‘Artist i vërtetë është ai që përballon skenën e Festivalit’. Prandaj s’kam ardhur pa u ndjerë 100% e sigurt. Ndjej zërin tënd që më thua ‘Rronka do ia dalësh!’- tha Ronela duke i emocionuar të gjithë.