Biznesmeni i njohur grek Yannis Markou ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi mëngjesin e të premtes u godit 15 herë me thikë nga një 25-vjeçar.

Sipas medieve greke, biznesmeni dhe i riu kanë debatuar për radhën në një mensë dhe për pasojë situata ka agravuar deri në përdorimin e thikës.

Dy të rinj, 19 dhe 25 vjeç, nisën të debatonin për radhën me tre burra, mes tyre edhe biznesmenin e njohur. Policia e Kifisisë arrestoi 19-vjeçarin, ndërsa autori i dyshuar i plagosjes është arratisur dhe vijojnë kërkimet për kapjen e tij.

Biznesmeni grek ushtron aktivitet në fushën e pronave të paluajtshme dhe ka qenë partneri i modeles Julia Nova. Ai është një figurë e njohur në rrjetet sociale. Biznesmeni ndodhet në terapi intensive dhe deri tani ka kryer tre operacione pas plagëve të marra nga sulmi me thikë.