Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Kamzës. Tre persona të armatosur kanë hyrë në një argjendari në rrugën “Nënë Tereza” në Kamëz dhe kanë marrë disa bizhuteri nën kërcënimin e automatikut.

Pas grabitjes ata janë larguar me mjetin e tyre tip “BMW”. Menjëherë policia shkoi në vendngjarje dhe ka ngritur disa pika kontrolli në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër.

Njoftimi i Policisë:

Kamëz/Informacion paraprak

Më datë 28.11.2023, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, tre persona të maskuar, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri automatik, kanë marrë disa bizhuteri në argjendarinë e shtetases E. S., dhe më pas janë larguar me një automjet tip “BMW”.

Shërbimet Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Janë ngritur pikat e përkohshme të kontrollit në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër.

Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor me specialistë të strukturave të posaçme të luftës kundër krimeve të rënda.

Grupi hetimor mbi bazën e të dhënave të administruara po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje.