Ministri i Shëndetësisë në Japni, Norihisa Tamura ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në këtë vend, ku grimca metalike u zbuluan në vaksinat anti-covid të prodhuara nga kompania amerikane, Moderna.

Ai deklaroi se grimcat metalike, mund të jenë shkaktuar nga gjilpërat të cilat ishin ngulur në doza, para injektimit, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

Vaksinimi me dozat e Moderna u ndalua përkohësisht në Okinawa të dielën e 29 gushtit. Ministria e shëndetësisë tha se gjilpërat mund të jenë futur gabimisht në shishka, duke thyer copa të tapës prej gome.

“Ne do të vazhdojmë të mbledhim informacion dhe të raportojmë përsëri’’, tha ministri japonez, Norihisa Tamura gjatë një konference për mediat.

Japonia po përballet me valën e saj më të madhe të infeksioneve COVID-19 deri më tani që nga fillimi i pandemisë, e nxitur nga varianti Delta, që është më i transmetueshëm.

Taro Kono, ministri përgjegjës për fushatën e vaksinimit, tha të martën se donte të përshpejtonte dërgesat e vaksinave në komunat që ishin detyruar të ndalonin rezervimet për shkak të mungesave.

Qeveria po shqyrton se kur dhe si të japë doza përforcuese që mund të jenë të nevojshme për të ruajtur imunitetin kundër virusit, por tani është duke u përqëndruar në përfundimin e dy goditjeve të para për publikun, u tha Kono gazetarëve.