Në të gjithë vendin deri më tani kanë ngordhur si pasojë e gripit të shpendëve të paktën 382 mijë shpendë në të gjithë vendin.

Lajmin e bëri të ditur zv/ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeci e cila tha po ashtu se nga produktet e mishit të pulës dhe vezët nuk ka probleme nëse blihen nga operatorë të certifikuar dhe gatuhen në temperaturat e duhura.

Gjeci bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë rast të dyshimtë të konstatuar në kontrollet apo raportuar në numrin e gjelbër.

Aktualisht, MB njofton se:

  • po respektohen procedurat e shuarjes së vatrës,
  • po kryhet tamponimi i zonës sipas niveleve të rrezes,
  • po komunikohet risku për fermerët dhe veterinerët e zonës,
  • është siguruar baza materiale e ajo mbrojtëse për veterinerët.

Ndërkohë, vazhdon procesi për eliminimin dhe asgjësimin e kafshëve që po ngordhin.

Veterinerët zyrtarë të AKVMB kanë kryer vizita e kontrolle në të gjithë 63 stabilimentet shpend-rritëse dhe deri tani nuk ka raste të dyshuara. Nga kontrollet zyrtare në komplekset intensive të mbarështimit të shpendëve me drejtim për prodhimtarinë e mishit, rezultatet tregojnë se janë të pastra.

Në fuqi është Urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Ky urdhër do të zbatohet në tre qarqet ku është konfirmuar vatra e sëmundjes: Durrës, Dibër Korçë.

Urdhri ndalon shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në këto qarqe si dhe lëvizjen e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla.

Nga kontrollet e ushtruara nga AKU në të gjithë territorin e vendit deri tani nuk janë evituar shkelje, sipas Ministrisë së Bujqësisë. Gjeci sqaroi edhe një herë se nuk ka asnjë rrezik si për mishin ashtu dhe për vezët të cilat i blini nga operatorët e licensuar dhe produktet janë të kontrolluara.

Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius si është dhe procedura normale e gatimit. /abcnews.al/