TIRANË – Pas denoncimit të familjarëve të një 27 vjeçari të arrestuar, Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka nisur hetimin në lidhje me pretendimet e tyre se brenda ambienteve të paraburgimit është ushtruar dhunë ndaj djalit të tyre.
Bëhet fjalë për Jani Rustemin, i cili është arrestuar më datën 12 prill pasi u kap në flagrancë duke vjedhur në një garazh në rrugën e Kavajës në kryeqytet.
Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht këtë të martë duke thënë se dy ditë pas arrestimit, i riu ka shfaqur probleme shëndetësore brenda bllokut të sigurisë, ku pasi i është dhënë ndihma mjekësore, gjëndja e tij është përmirësuar.
Më pas, sipas policisë, ai ka dalë përpara gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë, ku është caktuar ‘arrest në burg’.
Në njoftim theksohet se me datën 16 prill është bërë gati procedura për transferimin e tij në burgun 313 në Tiranë, institucion i cili nuk ka pranuar për të marrë në dorëzim të arrestuarin për shkak të mbingarkesës, e në këto kushte Rustemi është rikthyer në bllokun e sigurisë.
Një ditë më pas Jani Rustemi ka shfaqur sërish shqetësime shëndetësore dhe është dërguar me urgjencë në QSUT dhe mbahet nën ruajtje nga oficerë të policisë së burgjeve.
Pasi i riu ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore, e ëma e tij është paraqitur pranë Komisariatit nr.3 dhe ka bërë denoncimin ku pretendon se i biri është dhunuar në bllokun e sigurisë, pasi nuk ka pasur probleme të mëparshme shëndetësore.
Agjensia e Mbikeqyrjes Policore ka nisur menjëherë hetimet duke marrë në pyetje disa efektivë të policisë, përgjegjës të turneve që kanë mbikeqyrur të arrestuarin si dhe po verifikohet kartela shëndetësore nga spitali. Ndërkohë po verifikohen gjithashtu edhe kamerat e sigurisë të institucionit./abcnews.al