Gjatë ditës së sotme në Kuvend, është zhvilluar interpelanca ndërmjet deputetit Erion Braçe dhe ministres së Bujqësisë Frida Krifca.

Kjo e fundit u shpreh se Bujqësia për këtë vit ka marrë fondin më të madh të akorduar ndonjëherë në 30 vitet e fundit nga qeveria shqiptare, në mbështetje të fermerëve dhe blegtorëve. Sipas Krifcës do të jenë 3,2 miliardë lekë që qeveria shqiptare ka ndarë për nevojat e bujqësisë në 12-mujorin e ardhshëm.

Ndërkohë që Braçe përsëriti akuzat e tij për abuzimin në tregjet e frutave dhe perimeve, ku në Tiranë shiten pothuajse 4 fish më shtrenjtë sesa blihen te fermerët. Ish-zv kryeministri tha se duhet ti jepet prioritet fiskalizimit në sektorin e Bujqësisë, pasi në të kundërt abuzimet nuk do të ndalen.

 “Buxheti i vënë në dispozicion në mbështetje të drejtpërdrejtë, është më i larti i akorduar ndonjëherë pas vitit 1991, me 3.2 miliardë lekë duke mos llogaritur këtu edhe fondet e IPARD të cilat për këtë vit pritet të injektojnë jo më pak se 27 milionë euro në sektor.

Në mbledhjen e qeverisë dje, kemi miratuar VKM 101 per skemën kombëtare të mbështetjes për bujqësinë të cilën e kemi konsultuar gjerësisht me aktorët e sektorit. Për herë të parë do të mbështeten fermerët të cilët prodhojnë në sera mesatarisht nga 20% deri në 40% të kostove të tyre të inputeve si fara, fidanë apo inpute të tjera të nevojshme për procesin e prodhimit.

Sistemet e prodhimit në serra janë ato të cilat kanë edhe kosto më të larta inputeve, pra edhe ato që ndikohen më shumë nga kjo rritje çmimi. Mbështetja jonë do të shkojë dhe tek ndërtimi i serrave diellore duke ndikuar ndjeshëm në shtimin e sipërfaqeve të reja. Njëkohësisht do të vazhdojmë të mbështesim me naftë falas fermerët për të ulur kostot e punimeve të mekanizuara në kulturat dhe ne përdorimin me efektiv të tokës bujqësore dhe rritjen e sipërfaqes se kultivuar. Efekti i pritshëm është të dyfishojme numrin e përfituesve të vitit të kaluar.

Do vijojmë të mbështesim blegtorinë e bletarinë për të ulur kostot e prodhimit dhe rritur numrin e krerëve. Përmirësim dhe rritje të përthithjes së skemës mbështetëse me naftë për punime të mekanizuara që ulin kostot e prodhimit; ndërtimin e serrave diellore për shtimin e sipërfaqeve të reja, mbështetjen për fara e fidanë , certifikim organik dhe Global GAP si dhe zgjerim të sipërfaqes së mbjellë me bimë medicinale duke zgjeruar potencialet eksportuese; 

mbështetje për zgjerim të blegtorisë, tregjeve blegtorale dhe bletarisë; zgjerim të tregjeve bujqësore që bashkojnë fermerë në shitje, në bashkëpunim me pushtetin vendor; mbështetje për inovacion dhe digjitalizim në ferma; ngritjen e Skemës Kombëtare të Informimit në bujqësi, blegtori dhe peshkim në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës duke krijuar dhe qendrën e ekselencës dhe inovacionit të sistemeve prodhuese; fuqizim të sektorit të peshkimit duke rinovuar anijet, infrastrukturën e peshkimit dhe duke zgjeruar kapacitetet eksportuese’, deklaroi Krifca.

Braçe e ftoi ministren që gjatë këtyre ditëve të dy së bashku të shkonin dhe të shihnin serat plot me prodhime që nuk iu shiten fermerëve.

Janë rritur eksportet në janar, por si shpjegohet që bujqësia jo, numrat janë të INSTAT jo të miat, por salca bëhet nga domatja që është me çmim të lirë, nën kosto. Mbështetja buxhetore në Lushnje, si ka mundësi që shesin nën kosto, dalin me humbje.

Që nga prodhimi deri në shitje abuzimi është marramendës, ulet konsumi në qytet, dhe më pas mbetet prodhimi në sera, shkojmë nesër bashkë dhe shohim prodhimet që kanë mbetur në sera. Tjetra është humbja e krahut të punës, këta djem të rinj, iu bie më mirë që të shkojnë të punojnë në ndërtim me 40 mijë lekë dita. Nëse doni pleq aty në bujqësi është gjë tjetër, por dhe ata nuk do ti keni më pas disa vitesh”, tha Braçe.