Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë në zgjedhjet e 6 marsit, që do të mbahen në 6 bashki të vendit.

Në një postim në rrjete sociale Meta shprehet se vota është forca e vetme dhe e vërtetë e qytetarit në demokraci.

Ndër të tjera ai bën thirrje për zgjedhje të lira, të ndershme e të drejta.

Meta ndër të tjera u bën thirrje partive politike që të qëndrojnë larg retorikës, tensioneve dhe fenomeneve të papranueshme që kemi parë në të kaluarën.

Postimi i Metës:

Mesazh i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta me rastin e nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit

Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në Bashkitë Shkodër, Durrës, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë, që nis sot, është një mundësi e shkëlqyer për subjektet garuese dhe kandidatët e tyre për të parashtruar programe konkrete zhvillimi dhe gjithëpërfshirjeje në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, të një fushate në mbështetje të Kodit Elektoral, ligjeve dhe Kushtetutës, të drejtë, transparente, larg retorikës, tensioneve dhe fenomeneve të papranueshme që kemi parë në të kaluarën, i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote, në të gjashta njësitë vendore, të marrin pjesë masive në zgjedhje.

Nuk duhet humbur mundësia për çdo qytetar të tregojë forcën dhe vullnetin e tij për të zgjedhur kandidatin apo kandidaten më të mirë që do të drejtojë bashkinë e tyre në të ardhmen.

VOTA ËSHTË FORCA E VETME DHE E VËRTETË E QYTETARIT NË DEMOKRACI!