Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë ka miratuar me 6 vota pro kërkesën e SPAK për masën e arrestit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ditën e sotme, opozitën e përfaqësonte vetëm deputeti Enkeled Alibeaj. SPAK më herët kishte kërkuar nga Kuvendi autorizim për të vënë nën masë arresti Sali Berishën.

Ky i fundit refuzoi të respektojë vendimin e SPAK për “Detyrim paraqitje”, për të cilën Prokuroria kërkon një masë më të rëndë ndaj kreut të Rithmelimit. Tashmë mbetet që çështja për Berishën të kalojë në Parlament, ku do të miratohet kërkesa e SPAK me shumicë deputetësh. Seanca plenare e rradhës do të mbahet më datë 21 dhjetor dhe do të jetë e fundit për këtë vit, ku do të votohet edhe kërkesa e SPAK e miratuar prej Këshillit të Mandateve.

Në të njëjtën kohë, Berisha ka paralajmëruar edhe një protestë me datë 21 dhjetor përpara parlamentit. Një e tillë u mbajt edhe sot përpara ambjenteve të Kuvendit, teksa zhvillohej mbledhja e Këshillit të Mandateve.

Gjatë seancës së sotme, prokurorët e çështjes Berisha në SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai parashtruan kërkesën e tyre dhe arsyet e vënies së deputetit Berisha nën masë sigurie.

Nga ana tjetër, në seancë ishin edhe avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, që e konsideruan si të paligjshëm procesin ndaj ish-kryeministrit dhe anti-kushtetues.

Berisha po hetohet në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” gjatë kohës së tij si kryeministër. Ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në përfitimin e pronave në atë zonë, i cili tani është nën masën “Arrest në shtëpi”.