Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është raportuar se ka dyshime për mjet shpërthyes.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 21:00 ka pranuar informatën për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, ka thënë se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.

Ndërkohë, bëhet e ditur se udhëtarët janë larguar nga ndërtesa e Aeroportit.

Kjo nuk është hera e parë që ka pasur kërcënime për bombë në këtë aeroport, ndërkohë që të gjithë kanë rezultuar alarme të rremë.

Në disa shkolla në veri të Kosovës është ndërprerë disa herë procesi mësimor. Kjo për shkak të mesazheve anonime kërcënuese sipas të cilave në këto shkolla ishin vendosur bomba.