Kryesia e Partisë Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha ka vendosur përjashtimin e Gazment Bardhit nga anëtarësia e partisë. Ky vendim është marrë në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e kryesisë.

Kryesia e ka shpjeguar këtë me arsyen e shkeljeve të njëpasnjëshme të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Këto shkelje dhe veprime të Bardhit kanë qenë në kundërshtim me interesat personale dhe elektorale të partisë.

Kryesia e akuzon Bardhin për ndjekjen e një axhende personale në kundërshtim me axhendën e ndjekur nga PD-ja në raport me aleatët strategjikë dhe me individët e shpallur non-grata, konkretisht Sali Berisha.

Vendimi:

“Vendimi i Kryesisë së PD erdhi pas shkeljeve të njëpasnjëshme të kryera nga ish-sekretari i Përgjithshëm ndaj vendimeve të organeve kolegjale të PD, shumë prej të cilave janë votuar dhe janë nënshkruar prej tij si dhe për veprime në kundërshtim me interesat politike dhe elektorale të PD, për mosnjohjen e institucioneve të dala nga vota e demokratëve. Po ashtu dhe për ndjekjen e një agjende personale, përmes të cilës kërkon të zhvendosë PD nga orientimi i përcaktuar nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar, në raport me aleatët strategjikë dhe bashkëpunimin me individët e sanksionuar si non grata, që kanë ndërmarrë një aksion dy vjeçar kundër Partisë Demokratike.”