Uashington – Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033. Ky është vendimi i dytë që OFAC ka ndërmarrë bazuar në E.O. 14033 dhe që shënjestron persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese. Vendimi i sotëm përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E tillë sjellje korruptive minon sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet.

Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha Nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën është përparësi kryesore e administratës Biden-Harris dhe Thesari nuk do të ngurrojë të përdorë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbajtur përgjegjës aktorë të korruptuar dhe destabilizues”.

Si pjesë e këtij vendimi, Departamenti i Shtetit përcakton publikisht individë nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnie-Hercegovina sipas Seksionit 7031(c) të Aktit të Buxhetit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ngjashme, 2022, duke vendosur atë që rëndom njihet si ndalim i vizave. Departamenti i Shtetit përcakton gjithashtu edhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë sipas 7031(c). Ky vendim i bën ata dhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Nikola Gruevski (Gruevski) është dënuar dhe mbetet i dyshuar në disa çështje korrupsioni, dhe është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016. Ai e ka shmangur vazhdimisht arrestimin e vet për dënimin e vitit 2018 nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për akuza të lidhura me korrupsionin, gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Gruevski është pronar dhe drejtues i kompanisë hungareze I.C.I.C. KFT, e cila është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Pecel, Hungari.

Gruevski përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete. I.C.I.C. KFT përcaktohet në zbatim të E.O. 14033 sepse është në pronësi të apo e kontrolluar nga Gruevski.

Sasho Mijalkov (Mijalkov) është ish-shefi i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut. Mijalkov dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë të manipulimit të votave dhe një operacion të gjerë përgjimi të paligjshëm që shënjestroi 20,000 njerëz, përfshirë politikanë të opozitës, gjyqtarë dhe gazetarë, që siguroi përfitime politike dhe ekonomike dhe që nxiti një krizë politike dyvjeçare në vend duke zbuluar ndërhyrjen e pretenduar të qeverisë në gjyqësor, kontrollin mbi disa media dhe ndërhyrjen në zgjedhje. Në shkurt të vitit 2021, për shkak të rolit të tij si organizator kryesor i skemës së përgjimeve, ai u dënua nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për

bashkëpunim kriminal, shpërdorim detyre dhe marrjen e shpërblimeve për ndikim të paligjshëm. Më vonë, në prill 2021, një gjykatë në Maqedoninë e Veriut e dënoi Mijalkovin për shpërdorim pushteti në lidhje me një marrëveshje prokurimi për pajisje survejimi.

Mijalkov përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në veprime apo politika që minojnë proceset apo institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor.