Monitorim i pandërprerë i qarkullimit rrugor, duke përdorur makinën inteligjente dhe mjetet e tjera të pajisura me radarë dhe lexues automatikë të targave.

Përgjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, makina inteligjente ka monitoruar qarkullimin në qarkun e Fierit.

Gjatë monitorimit të Bypass-it të Fierit, gjatë orëve të mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, janë konstatuar mjete të cilët lëviznin me shpejtësi që varion nga 146 km/h deri në 172 km/h.

Makina inteligjente e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore dhe radarët e tjerë që ka në dispozicion Policia Rrugore kanë skanuar 93 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit nga 3 deri në 9 muaj, janë ndëshkuar me masë administrative nga 10.000 deri në 30.000 lekë të rinj, si dhe u janë zbritur nga 9 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

Masat administrative u vendosën jo vetëm ndaj këtyre drejtuesve të mjeteve, por edhe ndaj 123 drejtuesve të tjerë mjetesh që makina inteligjente skanoi gjatë punës së saj, për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit te lejes së drejtimit.