Shtatori do të jetë muaj i hapur vaksinimi për të gjithë ata që nuk e kanë marrë ende vaksinën kundër COVID. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se në çdo qendër shëndetësore nga sot do të kryhet falas edhe kontrolli i plotë mjekësor për çdo qytetar nga 35-70 vjeç për parandalimin e sëmundjeve kronike dhe monitorimin e pasojave post COVID.

“Në çdo qendër shëndetësore në vend, nga sot do të kryhet sërish kontrolli i plotë mjekësor për çdo qytetar 35-70 vjeç, i dobishëm për parandalimin e sëmundjeve kronike dhe monitorimin e pasojave post-covid”, shkruan ministrja.

Autoritetet në vend ka vendosur vaksinimin me detyrim për tre kategoritë e para: stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët. Atyre u është lënë një afat deri në 30 shtator për t’u pajisur me pasaportën e vaksinimit në mënyrë që të nisin normalisht punën dhe mësimin.

Në të kundërt ata duhet të paraqesin në mënyrë periodike një dokument që tregon se nuk janë të infektuar, përfshirë këtu rezultatet e testit PCR të kryer në 72 orët e fundit ose vërtetim që tregon se e kanë kaluar COVID në 6 muajt e fundit.

abc