Juventus nuk shkoi përtej barazimit në fushën e Bergamos ndaj Atalantës. Bergamaskët shënuan të parët me Malinovskin, ndërsa kur dukej se gjithçka ishte mbyllur, Danilo shënoi në minutën e 92-të, çfarë bëri që dy skuadrat të ndanin vetëm një pikë.

Një barazim me shumë vuajtje, edhe pse Juventus luajti më mirë sidomos në pjesën e parë. Ky barazim e mban Juven në vendin e katërt, me 46 pikë, një më shumë se Atalanta e vendit të pestë.

Pas ndeshjes trajneri i Juves, Massimiliano Allegri duket se është tërhequr nga synimi për titullin kampion. Në garë për këtë titull kanë mbetur Inter, Milan dhe Napoli, me dy ekipet milaneze që ndërrojnë vendin e parë dhe të dytë nga java në javë. Juventus ndodhet 11 pikë larg Milanit të vendit parë, e 10 pikë larg Interit, që ka një ndeshje më pak.

“Në vendin e parë është sulmi më i mirë dhe në vend të dytë mbrojtja më e mirë. Mendoj se edhe këtë vit si në 12 të fundit do të fitojë mbrojtja më e mirë. Këtë vit mendoj se Interi do ta fitojë atë, me gjithë respektin për Milanin dhe Napolin: Nerazzurrët janë skuadra më e fortë”, u shpreh Allegri.