Skandal me tenderin 11.7 milionë euro të mirëmbajtjes për katër vite të rrugëve të Rajonit Qendror dhe Juglindor.

Në garën e organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila është shpallur fituese me një ofertë sa 99,9% e fondit limit.

Kompania fituese është “2T” sh.p.k, në pronësi të Dritan Troskit dhe Artan Sakos, i cili është njëkohësisht edhe administrator.

Artan Sako është vëllai i komandantit të Gardës së Republikës, Gramoz Sakos.

Tenderi është shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në 10 mars të këtij viti dhe rezultatet janë shpallur në mes të majit në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Sipas dokumenteve, kompania “2T” sh.p.k ka qenë pjesëmarrësja e vetme, duke ofruar vetëm 105 mijë lekë, ose rreth 800 euro më pak se fondi limit prej 11,76 milionë euro. Haptas ky tender futet në kategorinë e tenderëve me flamurë të kuq, për shkak se oferta e vetme ishte sa 99,9% e fondit limit.

E dyshimtë është se si për një kontratë të tillë prej miliona eurosh, nuk ka pasur konkurrentë të tjerë në garë, edhe pse në Shqipëri ka me dhjetëra kompani të kapaciteteve të tilla. Jo rrallëherë është folur për marrëveshje të fshehta mes kompanive, të cilat i lënë dorë të lirë njëra-tjetrës përmes skemave të tilla, me qëllim ndarjen a parave publike.

Qeveria në jo pak raste është vënë me shpatulla pas murit, pasi disa ministri dhe institucione të varura prej saj, nuk kanë respektuar asnjë kriter të përdorimit të parave publike, duke i shpërdoruar e dhënë ato në gara me vetëm një pjesëmarrës, në pjesën më të madhe të të cilave fituesi mund të ishte parashikuara para nisjes.

Një prej tyre, është edhe Ministria e Infrastrukturës, ku tendera të tillë ka pasur në disa raste.

Nga raportin vjetor të 2021-shit, Kontrollit të Lartë të Shtetit thotë se:

“Dëmi ekonomik total i shkaktuar nga institucionet shqiptare gjatë vitit 2021 përllogaritet në 616,5 milionë euro, nga të cilat 158.3 milionë euro kanë ardhur si pasojë e parregullsive dhe shkeljeve financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, ndërsa 458.2 milionë euro vijnë për shkak të shkeljeve të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e institucioneve të audituara.

Shkeljet më të mëdha, me efekte të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe jo vetëm, lidhen me administrimin e të ardhurave: menaxhimin jo të kujdesshëm në procesin e përdorimit të fondeve publike; keqadministrimin e pronës shtetërore ndjekur nga paligjshmëritë procedurale dhe ineficencat në realizimin e procedurave të prokurimit publik”.

Kujtojmë që gjatë vitit të kaluar, SPAK ka arrestuar disa zyrtarë për shpërdorim të fondeve, ndërsa Agjencia e Prokurimeve Publike dhe ministritë s’mbajnë asnjë përgjegjësi për paratë buxhetit të shtetit./panorama.al