Najada Çomo hoqi dorë nga mandati i deputetit ditën e sotme, duke krijuar një vakancë në radhët e të zgjedhurve socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas Kodit Zgjedhor, Çomo, e cila mbante numrin dy në listën e socialistëve të 25 Prillit, do të zëvendësohet nga kandidatja grua pasuese në listë me numrin më të madh të votave.

Kandidatja e cila vjen e para në listën e socialistëve dhe që ka mbledhur më shumë vota është ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Në një prononcim për FaxNews, Mimi Kodheli me një përgjigje diplomatike dhe jo të drejtëpërdrejtë la të kuptonte se do ta merrte mandatin e deputetit.

“Sipas Kodit Zgjedhor më takon mua“, u shpreh Kodheli.

Duket se posti i zëvendëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, dhe fjalimi i lamtumirës në Kuvend, duket se nuk do ta pengojë angazhimin e Mimi Kodhelit për përfaqësimin e qytetarëve të Tiranës në Kuvend.

Teksa nuk kemi ende një përgjigje të qartë, nën ethe qëndron socialistja e radhës në listë, Dallëndyshe Bici, e cila shkon në parlament vetëm nëse Mimi Kodheli refuzon mandatin e deputetit.