Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë gjatë kësaj të hëne vendin tonë, ku pritet të qëndrojë për më shumë se 10 orë, ku do të pritet në Rinas nga kryeministri Edi Rama, dhe më pas janë parashikuar një sërë aktivitetesh të tjera.

Kjo vizitë e Erdogan përkon me datën e vdekjes së heroit tonë Kombëta, Skënderbeut, e në një ditë si kjo, shumë rrugë të vendit janë mbushur me flamuj turq, pikërisht shtetit, ndaj të cilit ai bëri rezistencë për shumë vite me radhë.

Erdogan do të mbërrijë në Rinas rreth orës 9 e 20 të mëngjesit të kësaj të hëne, dhe më pas pritet që të niset drejt Laçit, ku Turqia ka ndërtuar pallate si ndihmë për shqiptarët pas tërmetit të Nëntorit 2019.

Sipas axhendës zyrtare në orën 10.05 bëhet ceremonia e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç, ku Erdogan do të mbajë edhe një fjalim. Në orën 11.30 është vizita e Erdogan në shtëpinë e një familjeje në Laç.

Në 11.45 – Ceremonia e emërtimit të sheshit në Laç me emrin e Presidentit të Republikës së Turqisë.  Më pas në orën 13.00 Erdogan mbërrin në Tiranë dhe zhvillon një takim më Kryeministrin Rama.

Në orën 16.00 zhvillohet ceremonia Zyrtare e Inaugurimit të Xhamisë së Et’hem Beut. Në 17.00 – Fjala e Presidentit të Republikës së Turqisë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe në 18.00 nisja drejt Aeroportit të Rinasit dhe fundi i vizitës.

Për shkak të masave të jashtëzakonshme të sigurisë, me të cilat do të shoqërohet kjo vizitë e Erdogan, shumë rrugë që lidhin Tiranën do të jenë të bllokuara, ndërkohë që qytetarëve që fluturojnë nga Rinasi iu këshillohet që të nisen më herët, për të shmangur vonesat.

Rrugët që do të bllokohen:

  • Në rrugën nga aeroporti i Rinasit deri tek ‘Ura e Gjoles’ dhe anasjelltas duke filluar nga ora 08:30 deri në orën 10:00.
  • Në rrugën Vorë-Ura e Gjoles dhe anasjelltas duke filluar nga ora 08:30 deri në orën 10:00.
  • Në rrugën Rinas-Ura e Gjoles dhe anasjelltas duke filluar nga ora 11:00 deri në orën 13:00.
  • Në rrugën Vorë-Rinas, ura e Gjoles-Rinas dhe anasjelltas nga ora 11:00-13:00.
  • Në autostradën Durrës-Tiranë dhe Tiranë-Durrës duke filluar nga ora 11:00-13:00.