Operacioni për lirimin e vijës bregdetare, nga ndërtimet me beton arme që janë ngritur rishtaz pa leje, do të nisë javën tjetër në Shëngjin, pasi këto ditë të gjithë subjektet që janë evidentuar në kundërshtim me ligjin, janë duke u njoftuar.

Paralajmërimin e bëri kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Ky i fundit tha se kjo do të jetë një fazë e parë që gjatë korrikut dhe gushtit të mos ketë probleme për sezonin turistik, ndërsa nga shtatori do “merremi me ato ndërtime pa leje që janë të palegalizueshme”.

“Kemi përfunduar Ksamilin dhe Velipojën, jemi në fazën e njoftimeve, po koordinojmë dhe me zyrën e legalizimeve për t’i prerë rrugën e legalizimit.

Këtë muaj do merremi me rivendosjen e situatës ku kanë qenë të gjithë hapësirave që janë zaptuar me ndërtime pa leje në gjithë bregun e Shqipërisë”

“Shëngjin – Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit)

Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit

Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit “Bregdeti Ynë”, do të jetë shumë vonë për ju”, shkruan Rama në Facebook.