Teksa nis zyrtarisht fushata zgjedhore për 6 bashki pa kryetar, Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet Ilirjan Celibashi ka kërkuar që të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve në kutitë e votimit.

“Ftoj votuesit e këtyre 6 bashkive të marrin pjesë në zgjedhje, sikurse dhe slogan i KQZ në këto zgjedhje është vota vlen gjithmonë. Ju bëj thirrje të verifikojnë vlefshmërinë e mjeteve të identifikimit. Partitë politike do duhet ta përcjellin me qetësi fushatën elektorale, jashtë atyre retorikave të ashpra politike”.

Por a i duhet një këshillë veçanërisht opozitës e cila në këto zgjedhje të pjesshme do të jetë e ndarë?

“Mund të jem personi i fundit për të dhënë këshillën se si duhet të bëjë fushatën e vet apo në përgjithësi se si duhet ta ketë sjelljen e saj politike. Ka shumë rëndësi që prezantimi i alternativave dhe ideve të bëhet në mënyrë më të mirë të mundshme, më të qetë dhe nuk ka asnjë arsye që fushatën elektorale edhe të opozitës apo qeverisë ta karakterizojë agresiviteti politik”.

Sa i përket regjistrimit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Celibashi thotë se është bërë në përputhje me kodin zgjedhor, por shton se KQZ do të marrë masa në rast se do të ketë ankesa për përdorimin e logos.

“Ne kemi bërë regjistrimin e këtij koalicioni në përputhje me KODIN zgjedhor. Për çdo shqetësim tjetër që çdo subjekt i interesuar do ketë për mënyrën se si një subjekt tjetër apo subjekte të tjerë e zhvillojnë fushatën elektorale, ku të jetë rasti ne do të angazhohemi dhe do të japim vendimin përkatës”.

Një ditë pas votimeve, pritshmëritë janë që të kemi një rezultat për kryetarët e zgjedhur.

“Mbrëmja e ditës së hënë do të na japë rezultatin e zgjedhjeve në 6 bashki. Maksimumi mund të jetë mëngjesi i ditës së martë”.

Ndër të tjera, Celibashi thotë se nuk do të ketë problematika me anëtarët e KZAZ-ve për shkak të masave të marra nga KQZ.