Qysh kur shkruanim kartolina me shkrim dore dhe uronim njëri tjetrin për festën tradicionale të Vitit të Ri, më duket se edhe Viti i Ri ka gjithnjë ngjyrë gri ose pa ngjyrë fare. Rrjedhoja të një shoqërie të hapur, të një jete të lirë, padyshim. “Një liri pa dashuri”? Apo rrjedhojë e një “shoqërie që gjithnjë mbyllet” për secilin në hesapin e vet, brenda kuadratit të vogël të mollës së kafshuar të Stivit?…

Sidoqoftë, ka ende njerëz që të surprizojnë jashtë këtij mjedisi të ftohtë…

***

Deri para një viti kur isha në një detyrë si drejtues i një institucioni publik mediatik, zyra ime mbushej plot me dhurata, shporta e “kartolina” të formateve e dizajneve të ndryshme. Nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, diplomatë, ministra e drejtorë çfarëdo, që as të njohin, as i ke takuar ndonjëherë në jetë. Dëngu mbetej aty, i ftohtë, në një indiferencë katastrofike, për ti lënë radhën pastrueseve të zyrave ti fusnin në thesin e zi… Pas një viti nga kjo rutinë, nuk ndodh më kështu. Nuk marr kartolina me të njëjtin tekst, as shporta me produkte të llojllojshme e të zbukuruara me fjongo të kuqe, as lajka të shumta nga kushdo që takon koridoreve.  Sa për të gjitha këto bashkë, mi kanë dhënë këtë vit që sapo hymë, vetëm 3 njerëz, të cilët pa lejen e tyre, do ti përmend me emër dhe pa leje…

***

Buzëmbrëmjen e 31 Dhjetorit, më merr një numër i panjohur.

Unë – Alo, urdhëroni!

Ai – Mirmrama.

Unë – (një pauzë, për të konfirmuar kush ishte, megjithëse më vinte zë i njohur, karakteristik)

Ai – Si jeni, nga familja, çunat…

Unë – Mirë faleminderit, por më falni se nuk po ju njoh ngaqë kam ndërruar telefon e nuk me del numri? (justifikim)…

Ai – Jam Nardi, shoferi i radios. Të mora vetëm për të thënë gëzuar e gjithë të mirat e suksese për vitin e ri…

Unë – (lëshova një breshëri pyetjesh e falenderimesh e urimesh nga befasia)

Nardin e gjeta shofer në Radio Tirana në vitin 1997. Nardi është i urtë. Punëtor. I qetë e i heshtur. Nuk ke shans ta dëgjosh ndonjëherë të ankohet. As të ndërrojë fjalë me dikënd. As të ngrejë zërin. Sheh e bën vetëm punën e vet.

Më kujtohet njëherë kur po udhëtonim për një shërbim në Korçë. I thashe disa herë të ecë më shpejt pasi jemi vonë për takimin. Ai njësoj. Diku në Elbasan në semaforin me të kuq i thashë kalo se nuk ka makina, as njerëz. Nuk e kaloi pa u ndezur jeshilja. Qëndronte stoik dhe i heshtur në drejtimin e makinës. Diku pa shkuar në Librazhd i thashë të parakalojë një makinë. Pa kthyer fare kokën nga unë, më tha: -drejtor, a po i jepni vetë makinës se nuk ec dot më shpejt? -Po, i thashë.

Ndaloi makinën dhe ndërruam vendet. Pa bërë as dy kilometra, ndalova makinën para një lokali të vogël.

-Zbrit se do pimë kafe, i thashë.

Porositëm kafet dhe u ngritëm. -Jepi makinës për qejfin tënd se nuk jemi vonë, i thashë dhe vazhduam rrugën për Korçë.

Kisha reflektuar me veten në pak kohë. Kuptova se nuk isha drejtor autoshkolle.

Nuk e di nëse i kam kërkuar ndjesë, duke i kërkuar të thyejë rregullat, por po e bëj sot…

Nardi, shoferi, mund të ishte i fundit nga njëmijë e ca, prej të cilit mund të prisja një telefonatë urimi. Dhe ishte i vetmi.  Sepse Nardin, nuk e kam favorizuar asnjëherë. Ose në zhargon, Nardit nuk i kam bërë asnjë nder… I vetmi, por i zëvëndësoi të gjithë. Surprizë!

***

Ad Xhyheri, pasi më uroi, më tha: “U bë kohë pa u takuar dhe unë pak miq marr në telefon për urim. Ti ke mbetur një ndër  ta”.

Kujtuam më pas disa episode, aq sa mund të zërë një bisedë e shkurtër telefonike. Nuk e prisja.

Adrian Xhyherin ose “bankieri” siç e thërras unë, e njoh heret, që kur filloi punë në Lezhë në atë periudhe që quhej “qarkullim kuadri”. Një qytetar tipik, i kulturuar e i ditur. Pasi iku nga Lezha, edhe takimet sporadike u ndërprenë për një kohë të gjatë. Humbëm. Por nuk thonë kot, ndonjëherë jeta është fat. Dhe destinin për tu ritakuar na e kishte caktuar Saliu, Sali Berisha. U takuam në një qeli tek 313-a. Ishte koha e marrë e pushtetit kult të tij. Aty takuam dhe Vasil Naçin. Edhe Marsel Skëndon. Kë nuk takuam aty… edhe Fatos Nanon. Byronë Politike gjithashtu e gjetëm aty.

E di që Adit nuk i pëlqen të përmenden kohë të këqija, sepse ai nuk do të humbë kohë, asnjë sekondë. Kur ne mendojmë e diskutojmë për sot, Adi të jep zgjidhjet për pasnesër, jo për nesër… Sheh punët e tij dhe nuk i pëlqejnë zyrat. Çdo pushtet do ta kishte një aset të domosdoshëm për vizionin dhe diturinë që ka. Kaq për Adin se me siguri, po të vazhdoj më gjatë, vitin tjetër do më ketë fshirë dhe numrin e telefonit…

***

Qu Ning është kineze. Eshtë shefe e Seksionit Shqip në China Radio International.

“Jam Vera nga Pekini. Ju uroj gëzuar vitin e Ri dhe të jetë një vit i begatë për ju…” Për të gjithë që nuk e dinë, në China Radio International, të gjithë punonjësit e gjuhëve të huaja zgjedhin një emër tipik të vendit përkatës. Qu Ning ka emër të dytë Vera. Nuk e prisja urimin e Verës, sepse tashmë nuk më lidh puna. Por Vera është si një shqiptare e mirë, Një grua zonjë që ka mësuar mirë jo vetëm gjuhën. Ka mësuar edhe ritet e kulturën shqipe. Prej vitesh nuk ka ardhur në Tiranë edhe për shkak të pandemisë, por ja që gjen kohë të kujtojë miqtë. Sepse Vera është si Vera! Edhe në dimër, vjen si Vera…

***

Sa të jetë gjallë, njeriu mëson. Edhe unë mësova.

Dhe sic ka thënë At Zef Pllumi, “rrno vetëm për me tregue”.

Këtë bëra dhe unë!