Edhe pse kryeparlamentarja Lindita Nikolla i komunikoi më herë përjashtimin nga seanca plenare për përdorim të gjuhës fyese, Flamur Noka vijon të qëndrojë në sallë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, është bërë protagonist i një tjetër incidenti.

Ai i ka ndërprerë fjalën deputetit socialist, Nasip Naço, i cili si relator po shpjegonte projektligjin për shpërndarjen e pagave të prapambetura për ish-punonjësit dhe punonjësit aktualë të Kombinatit të armëve në Poliçan.

Nasip lëri fjalët, narkoman dhe narkoshtet dhe narkoregjim. Jeni Parlament i narkoshtetit”, tha Noka pasi i rrëmbeu mikrofonin Naços.

Po ashtu, Noka ka shtyrë një nga punonjësit e Gardës së Republikës që ka ndërhyrë në momentin e incidentit për të shmangur përplasjet mes ligjvënësve. Pas këtyre veprimeve të tij, kryeparlamentarja Nikolla tha se për Nokën do të ashpërsohen masat, duke e paralajmëruar deputetin e PD-së se për të do të vendosë Sekretariati i Etikës.

Kaq ka mjaftuar që Noka të shpërthejë në akuza ndaj Nikollës duke e akuzuar për lidhje me krimin dhe drogën.

Kryetarja e Kuvendit i është përgjigjur sakaq duke e kritikuar për sjelljen e turpshme dhe e ka cilësuar përfaqësues të non-gratës, referuar kreut të Rithemelimit, Sali Berisha.

Nuk më intimidon as më kërcënon zhargoni juaj. Turpi është për ju zoti Noka. Edhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Jam përfaqësuese e familjes sime, e prindërve të mi dhe familjes sime. Ti je përfaqësues i non-gratës dhe nuk të shohin sytë. Të errësohen sytë dhe të përçudnohet goja kur flet”, u shpreh Nikolla.