Një provë të vetme mbi akuzat për korrupsion, është kjo kërkesa që i ka bërë publikisht zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha. Ai tha se në rast se DASH do të japë prova ndaj tij, ai do të merrte vendimet e duhura personale.

Sipas Berishës në rast se kjo nuk ndodh ai do të vijojë përpara me planin e tij për ta risjellë PD-në në pushtet, dhe për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Berisha:

Kam muaj e muaj që pres, dhe nuk kanë paraqitur asnjë provë. Edhe njëherë iu bëj thirrje përfaqësuesve të DASH që të çojnë qoftë edhe një provë në gjykatën e Parisit, dhe unë marr çdo vendim për personin tim.

Kushdo që ka një provë ta paraqesë atë publikisht, në të kundërt, duke qëndruar i përulur ndaj të vërtetës, do të vazhdoj misionin tim, si besimtar i zotit dhe dinjitetit të njeriut, nuk do të ndalem kurrë.

Ftoj zyrtarët e DASH që të rishikojnë vendimin e tyre, sepse arroganca nuk është virtyt i njerëzve të lirë. Unë do të vazhdoj i palëkundur misionin tim bashkë me ju, për të përmbysur narkoshtetin, për të sjellë PD në pushtet, si parti e vlerave të lirisë, si parti që do të integrojë Shqipërinë në BE, aleate besnike të NATO, që sdo të lejojë kurrë që Shqipëria të bjerë në zona të tjera influence përveç tyre. Të rithemelojë PD, që do ta shndërrojnë Shqipërinë në vendin e bekuar për qytetarët, ku të ndërtojnë të ardhmen për veten dhe fëmijët e tyre.

PD ngrihet fuqishëm si parti e interesit kombëtar, e cila do ti japë fund hegjemonisë së kriminelëve të Beogradit në Ballkan. Grupi kriminal që udhëheq sot Beobradin, është iniciator i gjenocidit serb në Bosnje në Kosovë. Asnjëherë Tirana, nuk ka qenë si sot epiqendër e luftës së ftohtë kundër Prishtinës.