Sikur të ekzistonte një mundësi e vogël, një dëshirë nga Interi, natyrisht edhe në aspektin ekonomik, Romelu Lukaku nga janari do të luante sërish në Itali.

Pas disa muajsh në Angli te Chelsea, ku u transferua për 115 milionë euro, Lukaku konfirmoi se nuk është i lumtur.

28-vjeçari numëron 7 gola dhe 2 asiste mes kampionatit dhe Champions League këtë sezon, Tuchel nuk e sheh si një titullar fiks në majë të sulmit.

Ai tani ka zbuluar edhe prapaskena tjerë, ia hedh pak fajin edhe Interit për gjithcka që ndodhi gjatë verës, derisa konfirmon ofertën e Pep Guardiolës për të.

Për Corriere della Sera, ai ka thënë: “Pasi fituam titullin, unë shkova te drejtuesit e klubit dhe u kërkova atyre të më ofronin rinovimin e kontratës. Ndihesha mirë në Milano, por drejtuesit e Interit refuzuan propozimin tim”.

“Largimi im nuk lidhet me Conten, ndodhi vetëm prej mungesës së rinovimit. E dija që kishim ende mundësi për të fituar me ardhjen e Inzaghit. E përsëris: largimi im nuk ka lidhje me ikjen e Contes”.

“Nëse do të firmosja kontratën e re, unë do të isha akoma pjesë e Interit”, deklaroi Romelu Lukaku.

“Pas sezonit të parë me Interin refuzova një ofertë nga Manchester City, që ishte më e lartë krahasuar me atë që përfitoj aktualisht te Chelsea. Nuk ishte momenti të largohesha, nuk doja. Interi më shpëtoi karrierën dhe unë doja të bëja diçka të bukur”.