Në mesin e kasolleve me tulla balte në Afganistanin perëndimor, ku po strehohen njerëz të zhvendosur nga thatësira dhe lufta, një grua po lufton për të shpëtuar vajzën e saj.

Aziz Gul e shiti vajzën 10-vjeçare të martohej pa i treguar bashkëshortes së tij, duke marrë një paradhënie që të mund të ushqente familjen e tij me pesë fëmijë. Përndryshe, i tha ai më vonë bashkëshortes së tij, të gjithë do të vdisnim nga uria. Ai duhej të sakrifikonte një anëtar të familjes për të shpëtuar të tjerët.

Një numër në rritje i njerëzve të varfër të Afganistanit po marrin vendime të tilla dëshpëruese, ndërsa vendi i tyre po rrëshqet në një vorbull varfërie.

Organizimi i martesave për vajza shumë të reja është i zakonshëm në rajon. Familja e dhëndrit paguan para për të nënshkruar marrëveshjen dhe fëmija zakonisht qëndron me prindërit e saj derisa të bëhet, të paktën, rreth 15 vjeç.

Megjithatë, meqenëse shumë prej tyre nuk mund të përballojnë as ushqimin bazë, disa thonë se do t’i lejonin dhëndrit e ardhshëm të merrnin vajzat e tyre në moshë shumë të vogël, madje ata po përpiqen të shesin edhe djemtë e tyre.

Zonja Gul, në mënyrë të pazakontë në këtë shoqëri thellësisht patriarkale, të dominuar nga meshkujt, po reziston. E martuar vetë në moshën 15-vjeçare, ajo thotë se do të vrasë veten nëse i merret vajza e saj, Qandi Gul.

Kur burri më tha se e kishte shitur Qandi-n, “zemra ime pushoi së rrahuri. Doja të vdisja në atë moment, por ndoshta Zoti nuk dëshiroi që unë të vdisja”, thotë zonja Gul, me Qandi-n që ishte pranë saj duke shikuar me turp nga poshtë nën shaminë e saj bojë qielli.

Burri i saj i tha se ai shiti një anëtar familje për të shpëtuar të tjerët, duke thënë se përndryshe të gjithë do të kishin vdekur