“Ne e kemi ditur nga fillimi se kjo vaksinë nuk është ilaç magjik, që nuk do të përmbushte të gjitha pritshmëritë që ekzistojnë”, ka thënë Rosamund Lewis, eksperte për linë e majmunëve në OBSH, duke paralajmëruar se  vaksina kundër lisë së majmunëve nuk është 100 për qind efektive, as pas ekspozimit ndaj virusit, as si masë parandaluese.

Ajo ka thënë se personat e vaksinuar duhet të presin të paktën dy javë pas marrjes së dozës së dytë, ashtu që të vërehet efekti i plotë i vaksinës.

Më shumë se 90 për qind e rasteve me linë e majmunëve janë burra, të cilët kanë marrëdhënie seksuale me partnerë të ndryshëm.

Ajo u ka bërë thirrje këtyre burrave që të zvogëlojnë numrin e partnerëve seksualë dhe të shmangin marrëdhëniet seksuale në grup.

OBSH ka pranuar më shumë se 35.000 raportime të rasteve të infektimit me këtë virus në 92 shtete të botës. Prej tyre, 12 persona kanë vdekur.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli më 23 korrik emergjencë globale shëndetësore për përhapjen e lisë së majmunëve.

Ky është alarmi më i lartë që mund të lëshojë OBSH dhe pason një rritje të rasteve në mbarë botën.

Ky alarm erdhi në fund të takimit të dytë të komitetit të urgjencës të OBSH-së për virusin, ku shpresohet të mos marrë përmasat e pandemisë së Covid19./abcnews.al/