Ditën e sotme Partia Demokratike do të mblidhet në orën 18:00, për të zgjedhur 15 anëtarët e rinj të Kryesisë, pak ditë para se Parlamenti i ri të fillojë punë.

Mirëpo pak para kësaj mbledhje është mësuar nga burimet se kryedemokrati i Durrësit, Ferdinand Xhaferraj është tërhequr nga gara për një vend në Kryesinë e re.

Burime pranë PD bëjnë me dije se kryedemokrati i Durrësit Ferdinand Xhaferaj nuk ka pranuar të jetë kandidat për Kryesinë e Partisë Demokratike, të cilët do të zgjidhen sot pasdite. Emri i tij ishte mes 45 demokratëve që do të kandidonin për kryesinë, por sipas burimeve nga PD, Xhaferaj ka njoftuar mbrëmë partinë që emri i tij të hiqet nga ajo listë.

PD publikoi mbrëmë emrat e ekipit të Bashës, ku kreu i Grupit Parlamentar i është besuar Alfred Rushajt; komisioni i Sigurisë në Parlament, Flamur Nokajt; Komisioni i Ligjeve i është besuar Oerd Bylykbashit, kurse ai i Arsimit, Agron Gjekmarkaj.

Ndërkohë, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së do të jetë Edi Paloka, kurse Grida Duma dhe Jorida Tabaku, nënkryetare.