Komisioni për Ekonominë dhe Financat shtyu këtë të martë diskutimin për projektligjin për rikthimin e basteve online. Ky projektligj, i ka nisur diskutimet që prej korrikut të vitit të kaluar, ku është kundërshtuar fort jo vetëm nga opozita, por edhe grupet e interesit dhe vetë deputetët nga brenda mazhorancës.

Pas kritikave, komisioni vendosi që të përpunojë draftin fillestar të qeverisë, mbi të cilin prej disa javësh diskutimet po bëhen larg syve të publikut. Kryetari i Komisionit, Eduart Shalsi tha se arsyeja e shtyrjes ishte kërkesa për më shumë kohë për përpunimin e draftit final nga shërbimi juridik i Kuvendit. Shalsi e quajti një ligj të rëndësishëm “për shkak të kaluarës” dhe e lidhi vonesën me nevojën për t’u shkëputur “nga aktorët e vjetër” të këtij sektori.


Ky ligj, tashmë kaloi për ndryshim e më pas për diskutim në një moment të dytë, pavarësisht dëshirës së madhe dhe këmbënguljes së Edi Ramës.
Më herët në seancat dëgjimore, grupet e interesit paralajmëruan deputetët se projektligji nuk do ta ndalojë aktivitetin e paligjshëm, pasi penalizon kompanitë shqiptare me përvojë në treg.

Qeveria shqiptare e targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit përmes operacionit “Fundi i Marrëzisë” në vitin 2013, dhe në vitin 2015, miratoi një ligj që u komentua si radikal për frenimin e kësaj industrie.


Megjithatë, lojërat e fatit lulëzuan edhe më shumë pas miratimit të ligjit të ri, çka e shtyu qeverinë të vendoste ndalimin e plotë të tyre në vjeshtën e vitit 2018. Sipas propozimeve të reja, bastet sportive do të lejohen vetëm online, e drejta për ta ushtruar këtë aktivitet do jepet vetëm për 10 operatorë dhe përzgjedhja e tyre do të bëhet nëpërmjet një komisioni të veçantë e kriteresh të forta.