Stefano Pioli mund të jetë mjaft i kënaqur me fitoren bombastike 4-0 ndaj Lazios në çerekfinale të Kupës së Italisë. Një rezultat pozitiv edhe përtej pritshmërive, i cili i dërgoi kuqezinjtë te një sfidë e re e dyfishtë ndaj Interit, të planifikuar për 2 mars dhe 20 prill.

Një supremaci dërrmuese, jo vetëm nga pikëpamja e rezultatit, që konfirmoi formën e shkëlqyer të skuadrës, siç u shpreh edhe trajneri Pioli: “Përfituam nga fitorja e derbit për të marrë më shumë energji dhe ndërgjegjësim. Një lojë, edhe kjo, e menaxhuar me shumë vëmendje.

Ishte, nga ana jonë, thjesht një ndeshje perfekte, nuk mund të kërkoja asgjë më të mirë. Giroud? Pas disa problemeve fizike, ai tregoi se është sulmues i madh. Tani, perspektiva e një derbi të ri vetëm mund të na stimulojë të shkojmë përsëri përtej kufijve tanë. Tifozët do të dinë të na shtyjnë, siç kanë bërë gjithmonë”.

Të shtunën është Napoli-Inter, një përplasje që mund të favorizojë vetë “Djallin”. “Po, ne mund ta bëjmë këtë javë perfekte, – shtoi Pioli, – por do të jetë e vështirë kundër Sampdoria. Duhet ta kemi me vete garën, mund ta përmirësojmë renditjen. Ne nuk mund të kontrollojmë skuadrat e tjera, por vetëm veten tonë”.

Rebic, Giroud, Ibra, Leao…; ka shumë zgjedhje, të paktën kur të jenë të gjithë në dispozicion: “Sigurisht që do të jetë më e vështirë për mua të bëj zgjedhje, por do të kemi një shans më të mirë për ta fituar ndeshjen. Me pesë zëvendësime është e rëndësishme që të mund të ndryshojmë inercinë e lojërave.

Zgjedhjet janë më të vështira, por mund të ndikojnë më shumë. Ibrahimovic? Ai e jeton këtë situatë me shumë vuajtje, e di që momenti është i rëndësishëm dhe do të donte t’i ndihmonte bashkëlojtarët në fushë. Shpresojmë që të kthehet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse kemi nevojë për të. Tani po na jep një dorë me qëndrime pozitive jashtë fushës”.