Presidenti Joe Biden miratoi një deklaratë federale për gjendje emergjence për Kaliforninë, që do të autorizojë fonde dhe burime për të luftuar zjarret.

“Jemi të përgatitur të bëjmë gjithçka dhe për aq kohë sa duhet, për të kontrolluar këto zjarre dhe për të ndihmuar në rindërtimin dhe për t’u siguruar që të kthehemi në normalitet. Do të jetë një rrugë e gjatë”, tha Presidenti Biden. “Do të marrë kohë”.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se “do të punojë për të siguruar personel dhe aftësi shtesë zjarrfikëse” në Kaliforni për betejën e saj kundër zjarreve që kanë dalë jashtë kontrollit.

Shuma totale e dëmeve nga zjarret mund të shkojë rreth 57 miliardë dollarë ose edhe më shumë, sipas një analize nga Qendra Globale e Motit e kompanisë “AccuWeather”.

Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit u përball me katër zjarre të rrezikshme, që kanë shkaktuar të paktën pesë viktima, kanë djegur më shumë se 1100 ndërtesa dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen.

Dy mijë anëtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar për të ndihmuar zjarrfikësit vendas.

Në Palisadet e Paqësorit, zjarri kalonte nga një shtëpi në tjetrën, i shtyrë nga erërat e forta me fuqi uragani. Në të njëjtën zonë, zjarrfikësit thanë se uji pati shteruar.

Uashingtoni po mbështet përpjekjet për shuarjen e zjarrit të Kalifornisë me katër avionë të mëdhenj cisternë të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara dhe u njoftua se është nisur edhe një i pestë shtesë. Qeveria federale po ndihmon edhe me 10 helikopterë përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, dhjetëra zjarrfikëse të Shërbimit Pyjor u vendosën në gatishmëri për t’u dislokuar. VOA