Një tjetër sulm ka ndodhur ndaj Policia së Kosovës në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës. Autoritetet bëjnë me dije se rreth orës 03.10 të mëngjesit të sotëm, kanë ndodhur dy shpërthime të dyshuara nga mjete piroteknike.

Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.

Ky nuk është rast i përsëritur brenda pak ditëve. Dje, drejtori i Policisë së Kosovës dhe ministri i Brendshëm në një deklaratë për mediat, thanë se ditët e fundit deri dje, ishin kryer 4 sulme. Madje, dje është qëlluar me granatë dhe kallashnikov drejt makinës së Policisë.

Vetura e policisë sulmohet me mjete shpërthyese – Prishtinë, më 16 prill 2022

Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. 

Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.

Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë.