Ministrja për Punët me Parlamentin, Elisa Spiropali ka folur për Kongresin e Partisë Socialiste që do të mbahet ditën e shtunë.

Gjatë një interviste për “News24”, Spiropali tha se për asnjë moment nuk do të ndërpritet puna për çështjet organizative elektorale në terren.

Sipas ministres, PS është në një mandat historik por që i mungon një opozitë e vërtetë.

“Jemi një forcë udhëheqëse dhe përgjegjësia më e madhe bie mbi ne për qeverisjen. Diskutimi në Asamble ishte i dobishëm dhe u fokusua në fuqizimin e PS-së. Unë po përmend një nga ndryshimet. Zgjedhja e një kancelari në nivel bashkie që do të bëjë të mundur mbledhjen e të dhënave me funksione administrative. Janë çështje të vogla me rëndësi të madhe. Qëllimi i çdo partie është të jetë një parti që reflekton dhe i përgjigjet publikut. Patjetër edhe në aspektin organizativ duhet ta shohim veten në sy. Jemi në një mandat të tretë, historik por që ka konsumin dhe rrezikun e vet. Duhet mendimi kritik. Na mungon një opozitë e vërtetë, alternative qeverisëse e që na vë në vështirësi. Dobësia e opozitës nuk është fuqi e jona. Qytetarët janë ata që gjykojnë. Ftojmë të gjithë socialistët të marrin pjesë aty dhe të diskutojnë për çështje të ndryshme. Është më shumë një territor i ri debati me njerëzit. Ka disa aspekte të Statutit që do ndryshohen. Drejtuesit e qarqeve do të përfshihen në Kryesi për shembull. Ne nuk shkëputemi nga organizimi elektoral në terren”,-tha Spiropali.