Nga Erion Murataj

Shumë e quajnë staniacionin qëndrueshmeri relative.
Në fakt kjo është mënyra e vetme e makiazhit për të stimuluar vijimësinë.
Fakt është që nuk ekziston asnjë element që të meritojë emrin figurë.
Ky fakt jep shpjegimin dhe pse politikëbërja në Elbasan është totalisht mediokre.
Pasoja rëndon mbi këdo që kërkon të përfitojë nga besimi apo sovraniteti që ka lëshuar tek jo vertebrorët politik që kanë në lajmotiv vetëm pazaret dhe kavardisjen tek yndyra e qelbur që ka 32 vite që bën pis e djeg këdo që nuk ka dëshirë të qelboset me vullnet të lirë.
Thërrmimi i bashkëjetesës dhe vendimarrjes komunitare ka ç’bërë dhe krenarinë e Elbasanit, kulturën dhe arsimin.
Të gjithë flasin, të gjithë nuk pajtohen me këtë.
E nëse do të flisnim për burime, për mundësi apo pasuri natyrore do duhej që Elbasani të ishte një oaz jo vetëm për qytetarët e tij por një atraksion për shumëkënd që do donte një harmoni social-ekonomike për të ardhmen.
Në këtë puzzle resursesh mungojnë vetëm figurat.
Ato që do i jepnin vlerë Elbasanit dhe mundësi të rinjëve për të parë të ardhmen pranë prindërve e familjeve të tyre.
E nëse nuk ka gjasa që kjo të ndodhi nga jo vertebroret politik duhet të jenë të kthjelluarit që nuk dëshirojnë të qelbosen e digjen, ata që duhet të krijojnë modele të vendimarrjes komunitare për të përgatitur terrenin për ditën kur do mund të zgjedhin e delegojnë sërisht sovranitetin.