Pas miratimit në Kuvend të kërkesës së SPAK për të vënë nën masë arresti Sali Berishën, ish-kryeministri ka mbledhur këtë pasdite Kryesinë e Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se ky është një veprim dhe reagim i Ramës, pasi u frikësua nga opozita e vërtetë me të cilën nuk bën dot pazare
Nga ana tjetër, Berisha u shpreh se Rama e ka zhytur Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare në mbretërinë e frikës. Por beteja jonë, thotë ai, ëshë beteja e atyre që guxojnë. Për këtë çdo anëtar i partisë duhet të japë shembullin e guximit tek qytetarët.
Sali Berisha: Reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ka nga opozita e vërtetë. Ai është në llojin e tij një hajdut dhe diktator. Është vështirë të ndash diktatorin nga hajduti dhe hajdtuin nga diktatori. I duken të tilla si pronë e tij. Ai ka arritur të konfiskojë votën e lirë të shqiptarëve. Pikërisht me këtë mekanizëm ka vrarë shpresën tek shqiptarët. Ka shkaktuar largimin më të madh nga vendi. Këto janë për ne motive beteje. Shpallëm betejën pa kthim. Në asnjë rrethanë, ne nuk mund të zmbrapsemi, por në kushte të reja të diktuara në mënyrë të shpejtë nga regjimi, natyrisht kërkohet një ripërshtatje e shpejtë në këto kushte. Kërkohet nga ne të bëjmë gjithçka që të jemi zëdhënës të atyre që guxojnë. Rama e ka zhytur Shqipërinë në mbretërinë e frikës. Frika është e njohur që përbën ndjenjën më qendrore në fiziologji të ndjenjave njerëzore. Shpesh thonë se ai fiton votat. Kjo më kujton asgjë tjetër vetëm marsin e 91′, kur ne zona më e varfër, në uri kronike, nuk na votoi. Nuk na votoi jo se i ishte pajtuar me shkallë ekstreme mjerimi, përkundrazi e kishte pësuar më rëndë se të tjerët. Ushqeheshin më keq se të burgosurit në diktatura. Por më e fuqishme se ulërima e urisë ishte frika tek ata. Ndaj dhe e kam theksuar edhe më parë, kjo frikë e njohur si strategji u ngulit me një program të caktuar dhe sot është mjaft e përhapur, por nga ana tjetër askush mos të mendojë se njerëzit janë të kënaqur të jetojnë me frikë,. Çdo njeri dëshiron të çlirohet. Askush nuk çliron nga frika më shumë se shembulli personal i anëtarit të PD. Beteja jonë pa kthim, para së gjithash si betejë e atyre që guxojnë. Ata që guxojnë janë shumë herë më shumë se ata që mendojmë ne.