Kryeministri Edi Rama thotë se në Samitin e sotëm të NATO-s në Madrid, ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe të Aleancës ushtarake mbrojtëse.

Gjithashtu, ai bën me dije se ka kërkuar që vendet që nuk e njohin ende Kosovën, të vlerësojnë qëndrimin e saj të njehsuar me Bashkimin Europian ndaj agresionit rus në Ukrainë, pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën.

SOT në NATO: Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën – pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën.

Vlerësova marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, duke çmuar qasjen e drejtëpërdrejtë të Presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk dhe nënvizuar se kjo marrëveshje është një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh.

Dëgjova nga Presindenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, shkruan Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.