Zelenski kërkon ndihmë për të mbrojtur Mariupolin.

Bombardimet ruse në lindje të Ukrainës janë intensifikuar, teksa sulmi ka hyrë në ditën e 47-të. Mes bombardimeve të vazhdueshme është Harkivi, ku gjatë 24 orëve të fundit numërohen 66 zona të goditura nga rusët, me pasojë vdekjen e 11 civilëve.

Një ndër shenjestrat kryesore të betejës është edhe Mariupoli i rrafshuar në pjesën më të madhe. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, gjatë një videokonference me deputetët e parlamentit të Koresë së Jugut, ka deklaruar se me dhjetëra mijëra civilë janë vrarë vetëm në këtë qytet. Ai kërkoi ndihmë me armatime edhe nga Seuli në mbështetje të mbrojtjes së Mariupolit që e quaji zemrën e rezistencës ukrainase, e cila sipas tij nëse pushon së rrahuri, Kievi do të jetë në një pozitë më të dobët në luftën kundër Rusisë.  

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer vizitoi këtë të Hënë Moskën për të ndërmjetësuar me Vladimir Putinin, fundin e luftës në Ukrainë. Ai është lideri i parë perëndimor që vizitoi Rusinë që prej nisjes së sulmit në Ukrainë.  Sipas një deklaratë nga zyra e shtypit të Nehammer mësohet se ai ka thënë se kjo nuk ishte një vizitë miqësore. Kancelari e përshkroi bisedën me Vladimir Putinin si të drejtëpërdrejtë, të hapur dhe të ashpër, teksa tha se nuk ka vend për optimizëm. Ai i bëri thirrje presidentit rus të përfundojë luftën pasi nga kjo situatë ka vetëm humbës.  Austria është vend neutral, por ka shprehur hapur kundërshtinë ndaj sulmit rus.