Edhe në këtë seancë plenare, Sali Berisha nuk u kursye aspak në akuza ndaj qeverisë.

“Po u thithni gjakun shqiptarëve, jeni mafie vetëm mafia.

Replikat i nisi me Kryetaren e Kuvendit për t’i vijuar më pas edhe me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, të cilën e akuzoi se ka përdorur postin për t’u pasuruar.

“Mund t’i them zonjës se në historinë e Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka patur njeri më plaçkitës ndaj pronave të ushtrisë sesa parafolësja. Olta kur flet duhet të matesh dy herë se e ke filluar me piramidat dhe e mbylle me plaçkitjet e pronave të ushtrisë”, tha Berisha.

“E kaluara e hidhur, shëmbëlltyra e vdekjes së hidhur se vulën ua ka vënë aleati më i madh, SHBA, që e keni shkruar vetë me duart e përgjakura. Një politikan i tillë nuk duhet të ishe këtu dhe nuk se çfarë përfaqëson”, u shpreh Xhaçka.

Akuzat i vijuan deri tek familjarët.

“Vetëm njëra ka superbashkëshort, madje bashkëshort strategjik, quhet strategjik se e ka lumturuar të shoqin me prona në Dhërmi. E ka lartësuar në nivelin e investitorit strategjik”, tha Berisha.

“Jam krenare për burrin tim, nuk e di sa krenare është gruaja juaj për ju. Burri im është në tokë të vet, në pronë të vet nuk ka përfituar asnjë centimetër katror nga shteti shqiptar. Kini respekt për veten mos gënjeni mos mashtroni, në këtë moshë për ju dhe në këtë fazë të karrierës politik”, u shpreh Xhaçka.

Seanca plenare e së hënës nisi me betimin e Pandeli Majkos, i cili për herë të tetë mori mandatin e deputetit të Partisë Socialiste. Majko zuri vendin e lënë bosh nga Alqi Bllako, që u arrestua nga SPAK-u për aferën e inceneratorit të Fierit.