Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare të turizmit që po mbahet në Tiranë, tha se ka ardhur koha për ta kthyer turizmin në një industri të mirëfilltë që luan një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit.

Balluku theksoi gjithashtu se po punojnë së bashku me ministrinë e Turizmit dhe se kanë nisur procesin për aeroportin e ri që do të ndërtohet në Gjirokastër.

“Që t’i marrin më të mirën vendit, një vend të cilin zoti e ka bekuar bujarisht me male të larta, dete blu dhe me fusha dhe me të gjitha mirësitë që dalin nga toka e këtij vendit, që ju tashmë duke na vizituar, keni provuar kulinarinë. Të gjitha këto ka ardhur koha t’i organizojmë, t’i fusim në një autostradë të duhur për ta kthyer turizmin jo në një arritje gjenetike por në një industri të mirëfilltë që luan rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit. Shifrat kanë ardhur duke u rritur dhe duke e bërë Shqipërinë në një nga vendet e para në këtë 2 vjeçar për sa i përket zhvillimit turistik dhe numrit të vizitorëve. Mua me duhet të kontribuoj fuqishëm sa i përket ngritjes së intrastrukturës së dobishme për këtë sektor të ri dhe të brishtë në vend.

Në 2018 kur qeveria vendosi në atë kohë të të nisë një strategji për zhvillimin, me të vërtetë pati shumë skeptikë, kjo ndodh shpesh në politikë, të cilët thonë se pse duhen aeroportet e reja në një vend, kur edhe i vetmi që ndodhej në Tiranë pothuajse ishte në 50 përqind të kapaciteteve. Pavarësisht se thuhet shpesh se erdhi koha për këtë rritje ekonomike dhe sukses në turizëm nuk është e vërtetë. Kohën e kanë pasur të gjithë para nesh por për ta koha nuk erdhi. Flitet për një dekadë të tërë dhe pune të planifikuar dhe sot përkthehet në rezultate.

Vetëm në pak muaj do të kemi aeroportin më të madh në Ballkan. Pas një studimi me ministrinë e turizmit, kemi marrë një vendim të ri për të nisur procesin për një aeroport në jug të vendit duke e mbyllur kurorën e avioacionit civil, në Kukës, në Tiranë, në Vlorë dhe më pas në Gjirokastër, një  nga zonat më interesante për turizmin”, u shpreh Balluku.

Më tej, zëvendëskryeministrja shprehu bindjen se vendi do të tejkalojë shifrën e 14 milionë turistëve këtë vit.

“Pas pandemisë, në zbulimin e punës online, flukse të mëdha të kapitaleve njerëzore janë zhdukur nga tregu, duke krijuar një vakuum dhe duke i bërë qeveritë se kapitali më i çmuar është ai njerëzor. Për këtë arsye, Shqipëria ka vendosur fokus të veçantë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore bazuar mbi arsimin profesional. Hoteleria kërkon një master të shërbimeve, shqiptarët e kanë por jemi duke folur për diçka që duhet të jetë e dizenjuar, një aftësim i dizenjuar përsa i përket turizmit dhe hotelerisë. Po punojmë në qeveri dhe Mirela e ka një nga detyrat parësore ngritjen e kapacitetee humane duke pasur parasysh edhe ekspansionin që presim në vitet e ardhshëm. 14 milionë presim në 2024. Por nga shifrat, duke nisur nga muaji janar që kanë pasur shumë prenotime, ndoshta ky projeksion për 14 milionë do të tejkalohet, duke vënë në sfidë komponentët e këtij sektori, duke nisur nga infrastruktura dhe te shërbimet. Jemi besimplotë që do të shkëlqejmë këtë sezon.“, shtoi ministrja./abcnews.al